Image linked to donate page Image linked to Countering the Militarisation of Youth website (external link) Image linked to webshop

Connexion utilisateur

Interface language

Diaspora link
Facebook link link
Twitter link
 

Répondre au commentaire

Letra e Ndërkombëtares së Rezistuesve të Luftës

Më 5 shkurt, në Prishtinë (Kosovë), aktivisti i padhunshëm, Albin Kurti, del në seancën e pestë dëgjimore të gjykimit, ku ai akuzohet për 'përpjekje për të shkaktuar rrezik të përgjithshëm dhe/ose shkatërrim të gjërë të pronës', pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave të tyre dhe nxitje të popullit për ta thyer kordonin policor. Albini aktualisht po mbahet në burg në paraburgim deri në përfundim të gjykimit dhe është klasifikuar si i burgosur i Kategorisë A - i burgosur që paraqet shkallë të lartë rreziku - meqë nuk mori pjesë vullnetarisht në seancën e fundit gjyqësore për shkak të mosnjohjes parimore nga ana e tij të sistemit të UNMIK-ut në Kosovë.

Ndërkombëtarja e Rezistuesve të Luftës (War Resisters' International WRI) - një rrjet pacifist ndërkombëtar që angazhohet për format e padhunshme të veprimit dhe ka 82 degë në 42 shtete - e konsideron përndjekjen e Albin Kurtit si përpjekje të motivuar politikisht për të mos e lënë të qetë dhe për ta diskredituar njërin prej kritikuesve më të zëshëm dhe më këmbëngulës të administrates ndërkombëtare në Kosovë si dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, themelimin e së cilës e ndihmoi ai. Misionet e OKB-së janë gjoja të rrepta në përpjekjet e tyre për t'i respektuar standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe në sigurimin e modelit të qeverisjes së mirë. Në vend të kësaj, UNMIK-u - Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë - është dëshmuar të jetë i papërgjegjshëm dhe - përballë pluralizmit dhe padëgjueshmërisë qytetare - thjesht autoritar në mosrespektimin e procesit ligjor.

Kjo seancë dëgjimore mbahet pothuajse një vit pas ngjarjeve përkatëse të 10 shkurtit, kur policia e UNMIK-ut shtiu me plumba të gomës kundër një demonstrate të paarmatosur, e cila po bënte thirrje për të drejtën për vetëvendosje, duke i vrarë dy vetë dhe duke i lënduar edhe mbi 80 të tjerë. Edhe pse shefi i policisë së UNMIK-ut u detyrua të jepte doreheqje pas kësaj, njësiti përkatës i policisë është kthyer në Rumani, ku nuk janë zhvilluar kurrfarë hetimesh të metutjeshme. Ndërkohë, Albin Kurti është burgosur menjëherë dhe është mbajtur në paraburgim deri në korrik, kur i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, e cila më në fund është hequr më 19 dhjetor 2007.

Përndjekja e Albin Kurtit është kritikuar në mënyrë të detajuar nga ana e Amnesty International dhe Federata Ndërkombëtare e Helsinkit. Përveçse ka qenë i burgosur dhe në disa raste nuk i është lejuar të flasë me mediat apo të takohet me vizitorët ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, Albin Kurti u është nënshtruar deklaratave të përsërituara degraduese nga ana e zyrtarëve të UNMIK-ut. Avokati i emëruar nga ana e UNMIK-ut si avokat i tij mbrojtës në dy seanca gjyqësore, ka qenë njëri që kishtë dhënë deklarata për mediat në të cilat e akuzonte Albin Kurtin. Ai më në fund u shkarkua nga detyra më 30 janar në bazë të provave që gjyqit i ishin paraqitur më 4 dhjetor por atëbotë ishin injoruar.

WRI ka mbajtur kontakt me Albin Kurtin që nga viti 1997, kur si udhëheqës i studentëve ai ishte avokati më i shquar i lëvizjes së padhunshme për realizimin e të drejtës për arsimim të duhur në Kosovë. Më pas, si i punësuar në zyren e Adem Demaçit, zëdhënësit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Albini u angazhua për lirimin e të burgosurve të ndryshëm të marrë nga UÇK-ja. I burgosur nga ana e regjimit të Milosheviqit gjatë bombardimeve të NATO-s, Albini ishte në burg deri në dhjetor të vitit 2001. Që nga lirimi i tij, Albini i ka kritikuar institucionet e ndryshme në Kosovë për korrupsion, i ka refuzuar ftesat për anëtarësim në parti politike dhe ka zhvilluar fushatë që t'u dëgjohet zëri familjeve - të të gjitha etniteteve - të cilat nuk dinë për fatin e të dashurve të tyre që nuk i kanë parë që nga lufta.

Kjo nuk është hera e parë gjatë periudhës së UNMIK-ut që është parë si e nevojshme kundërpërgjigjia e policisë ndaj demonstratave të padhunshme. Zyra e Ombudspersonit në Kosovë ka pasur rast ta kritikojë dhunën e tepruar të policisë kundër protestimit ulur dhe veprimeve të padëgjueshmërisë qytetare të organizuara nga Albin Kurti dhe kolegët e tij të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Këto demonstrata gjithnjë kanë qenë qartazi të përqëndruara ndaj politikave të fuqive-në-fuqi - pra, të UNMIK-ut dhe Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes, të themeluara nën patronatin e UNMIK-ut. Këto protesta kurrë nuk e kanë pasur pikësynim nxitjen e urrejtjes etnike - përkundrazi.

Vetë Albini gjithnjë ka bërë dallim me kujdes mes popullit serb si tërësi dhe projekteve kriminale politike të disa udhëheqësve politik serb. Ai ka folur për pajtim dhe kundër urrejtjes etnike. Megjithatë, si shumë shqiptarë të Kosovës, ai fuqishëm beson se Kosova ka të drejtë për vetëvendosje dhe nëse vetëvendosja e tillë nuk i respekton të drejtat e njeriut të të gjithë qytetarëve të saj, ne jemi të bindur se Albin Kurti do të jetë në ballë të atyre të cilët protestojnë dhe synojnë ta mbrojnë këdo që i kanoset rreziku.

WRI bën thirrje që t'i jipet fund përndjekjes së Albin Kurtit dhe të tregohet respekt nga ana e UNMIK-ut për kritikuesit e tij brenda Kosovës, përfshirë këtu edhe kritikuesit jashtëparlamentarë që janë të gatshëm për ta zbatuar padëgjueshmërinë qytetare.

Répondre

War Resisters' International is currently in maintenance. During this maintenance it is not possible to add or edit content (like comments and pages).